AKTIVITET TRAJNUES: "E drejta për mbrojtjen e të dhënave personale në kuadër të ligjit të ri” - 23 shkurt 2026

Shkolla e Magjistraturës, më datë 23 shkurt 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: E drejta për mbrojtjen e të dhënave personale në kuadër të ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Besnik Dervishi dhe Altina Nasufi

Lehtësues: Hazbi Balliu

Qëllimi i këtij trajnimi është: njohja e pjesëmarrësve me risitë që parashikon ligji i ri “Për Mbrojtjen e të Dhënave personale”. Duke qenë se vendimet e Komisionerit i nënshtrohen rishikimit gjyqësor të Gjykatës Administrative në përputhje me ligjin për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, është e nevojshme njohja me praktikën administrative të kësaj gjykate, si dhe përballja e qëndrimeve me qëllim garantimin e zbatimit në praktikë të kësaj të drejte që në themel ka qytetarin. 

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Kontrolli gjyqësor nga gjykata administrative mbi vendimmarrjen e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale sipas ligjit 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale.” 
  • Respektimi i standardit kushtetues dhe konventor të procesit të rregullt ligjor edhe në këtë procedurë administrative. Standardi i barrës së provës në proces. 
  • Testi i proporcionalitetit. Kontrolli i ushtrimit të ligjshëm të diskrecionit. 
  • Jurisprudencë e GJEDNJ, GJED, Gjykatës Kushtetuese, Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, etj.
  • E drejta për mbrojtjen e të dhënave personale në kuadër të ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale. Ndikimi i legjislacionit të ri të mbrojtjes së të dhënave personale në punën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe nëpunësve të caktuar për marrëdhëniet me publikun dhe median.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, avokatë shteti dhe oficerë të policisë gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.